Gjumi mund të bëjë shumë më tepër sesa të na çlodhë. Studiuesit e Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, MIT, kanë zbuluar se tingujt e butë, të njohur si “pink noise”, mund të forcojnë një proces natyror përmes të cilit truri largon mbetjet e krijuara gjatë aktivitetit të përditshëm.
Në eksperimentin me 14 vullnetarë të shëndetshëm, studiuesit përdorën impulse zanore shumë të shkurtra, të sinkronizuara me valët elektrike të trurit gjatë gjumit të thellë. Rezultatet treguan se këta tinguj rritën lëvizjen e lëngut cerebrospinal, i cili ndihmon në transportimin e mbetjeve jashtë trurit.
Zbulimi hap mundësi të reja për studimin e gjumit dhe sëmundjeve si Alzheimeri, të lidhura me grumbullimin e proteinave në tru. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ende nuk është provuar nëse kjo metodë përmirëson kujtesën apo parandalon sëmundjet. Hapi i radhës është testimi i saj te persona me probleme të gjumit dhe te pacientë me sëmundje neurodegjenerative.











