Manchester City ka reaguar për herë të parë pas zhvillimeve të fundit në çështjen me Premier League. Presidenti Khaldoon Al Mubarak u është drejtuar tifozëve me një letër, duke theksuar se procesi ligjor është ende larg përfundimit dhe se klubi vazhdon të besojë te pozicioni i tij.
Reagimi vjen pasi raportimet në Angli pretendojnë se City është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura fillimisht për shkelje të rregullave financiare të Premier League. Megjithatë, sanksionet ende nuk janë vendosur dhe pritet që klubi të apelojë vendimin.
“Procesi i Premier League ka ende shumë rrugë përpara dhe besimi ynë, si edhe vendosmëria për të provuar pafajësinë e klubit, janë po aq të forta sa në fillim”, shkroi Al Mubarak. Ai shtoi se për shkak të konfidencialitetit të çështjes nuk mund të japë më shumë detaje dhe se edhe letra drejtuar tifozëve ka kaluar disa kontrolle ligjore.
Presidenti i Cityt iu përgjigj gjithashtu zërave për pasoja të rënda ndaj klubit. “Disa kanë nxituar të nxjerrin përfundime, por asgjë nuk ka ndryshuar. Kemi kaluar sfida të tjera dhe kemi dalë fitues. Ka ende shumë njerëz që duan të ngadalësojnë hovin e klubit tonë. Nuk do t’ua japim këtë mundësi”, deklaroi ai.
Mes masave të mundshme që janë përmendur janë gjoba, heqje pikësh, përjashtim nga kompeticioni apo edhe heqje titujsh, por deri tani nuk ka një vendim përfundimtar për dënimin. Për këtë arsye, çështja e Manchester Cityt pritet të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.











