Saimir Shkambaj, deri sot shef i Komisariatit të Policisë Tropojë, është emëruar nga kryepolici Skënder Hita në krye të rendit për qytetin bregdetar të Sarandës. Vendimi është marrë këtë të mërkurë dhe Kryekomisar Saimir Shkambaj do të marrë pa humbur kohë postin si drejtues i Komisariatit të Sarandës.
Ndërsa, shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Komisar Feliks Hoda është transferuar dhe me urdhër të kryepolicit është emëruar Shef Komisariati i Policisë Dibër.
Ndryshimet në disa komisariate por veçanërisht në atë të Sarandës, vijnë pas ngjarjeve të rënda kriminale që kanë përgjakur qytetin bregdetar gjatë vitit të fundit, duke e kthyer atë në qendër të atentateve me vdekje, shpërthimeve me tritol dhe gjobëvënies.
Newsbomb.al raporton se Kryekomisar Saimir Shkambaj është një ndër drejtuesit e përgatitur që shërbejnë në radhët e Policisë së Shtetit dhe vite më parë, ai ka qenë dhe Shef Seksioni i Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Tiranës.
Aftësitë dhe profesionalizmin e fituar gjatë viteve në poste drejtuese në Policinë e Shtetit, Kryekomisar Saimir Shkambaj pritet t’i vërë në zbatim dhe në qytetin e Sarandës, ku nevoja përveprim përmes ashpërsisë së ligjit, është e menjëhershme.
Këtë e ka theksuar edhe vetë ministri i Brendshëm, Ervin Demo, i cili gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit në 12 qarqet e vendit, ka kërkuar shkrirjen e zinxhirit komandues në Sarandë dhe ngritje e një TaskForce të posaçme për të hetuar ngjarjet kriminale.











