Përplasja mes Real Madridit dhe Javier Tebas ka hyrë në një tjetër kapitull të tensionuar. Pas deklaratave të presidentit të La Ligës për ankesat e madrilenëve ndaj arbitrimit, klubi ka reaguar me një komunikatë zyrtare me tone shumë të forta.
Real Madridi e akuzon Tebas se ka një “obsesion” me klubin dhe se po përdor pozicionin e tij institucional për ta sulmuar publikisht. “Është e papranueshme që presidenti i La Ligës të vazhdojë të nënvlerësojë dhe sulmojë Real Madridin në këtë mënyrë”, thuhet në reagim.
Klubi e cilëson deklaratën e fundit të Tebas si “serioze dhe të pakuptueshme, të padenjë për një drejtues me përgjegjësi”, ndërsa shton se qëndrime të tilla dëmtojnë imazhin e La Ligës dhe të futbollit spanjoll në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Real Madridi shkon edhe më tej, duke kërkuar në mënyrë të tërthortë një ndryshim në drejtimin e kampionatit: “Futbolli profesionist spanjoll ka nevojë urgjente për një drejtues që ta menaxhojë me detyrimin themelor të neutralitetit.”
Reagimi erdhi pasi Tebas kishte kritikuar pretendimet e madrilenëve për arbitrimin, duke deklaruar se “kur nuk është Negreira, është arbitri” dhe se pretendimet për një komplot kundër Real Madridit nuk qëndrojnë. Ai gjithashtu i bëri thirrje klubit të “heqë fashën nga sytë” dhe të mos përdorë arbitrimin për të justifikuar problemet në fushë.










