Barcelona ka marrë një tjetër lajm të keq nga infermieria. Andreas Christensen ka pësuar një dëmtim muskulor në kuadricepsin e këmbës së majtë dhe do të qëndrojë jashtë fushave për disa javë.
Klubi katalanas konfirmoi dëmtimin pas ekzaminimeve mjekësore të kryera këtë të diel. Mbrojtësi danez u dëmtua gjatë ndeshjes ndaj Sevillas në “Sánchez Pizjuán” dhe u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 58-të.
Christensen e kuptoi menjëherë seriozitetin e problemit dhe kërkoi ndërhyrjen e stafit mjekësor. Ai u largua duke çaluar dhe më pas u pa i përlotur në stol, i goditur edhe një herë nga një dëmtim që i ndërpret ritmin.
Problemet fizike kanë qenë të shpeshta për 30-vjeçarin gjatë viteve të fundit. Edhe pse rinovoi kontratën me Barcelonën deri në vitin 2028, danezi vazhdon të përballet me dëmtime që e kanë mbajtur për periudha të gjata jashtë skuadrës.
Barcelona ka bërë të ditur se koha e rikthimit do të varet nga ecuria e rikuperimit të tij.











