Ka nisur në Korçë takimi i kryeministrit Edi Rama në kuadër të turit për rishikimin e ndarjes administrative-territoriale në vend.
Në takim janë të pranishëm kryetarët e bashkive të juglindjes, deputetët e Qarkut të Korçës, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Në fokus të diskutimeve janë propozimet për ndryshimin e hartës administrative të vendit, ndërsa një prej çështjeve që pritet të sjellë debat është e ardhmja e Bashkisë Maliq.
Propozimi për shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin e saj me Bashkinë Korçë është kundërshtuar në Maliq, ku janë zhvilluar protesta, ndërsa kundërshtime kanë ardhur edhe nga punonjës të administratës bashkiake.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Maliqit nuk ka miratuar deri tani një qëndrim zyrtar kundër këtij propozimi. Këshilltarët e Partisë Demokratike kanë kërkuar një vendim kundërshtues, ndërsa këshilltarët socialistë kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me propozimin.
Edhe kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, ka kërkuar kohë për shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara.
Tashmë, diskutimi për hartën e re territoriale ka nisur në teatrin “Andon Zako Çajupi”, ndërsa pritet që gjatë takimit të diskutohet edhe për propozimin që prek drejtpërdrejt Bashkinë Maliq.











