Humbja 3-1 ndaj Milanit ka ndezur alarmin te Interi. Cristian Chivu, Nicolò Barella dhe Alessandro Bastoni kanë folur hapur pas derbit, duke pranuar se problemi i skuadrës nuk lidhet vetëm me aspektin teknik apo taktik, por edhe me mentalitetin.
“E nisëm ndeshjen gabim. Na munguan intensiteti, përqendrimi dhe energjia. Diçka nuk po funksionon dhe duhet të rigjejmë motivimin dhe vendosmërinë. Krahasuar me sezonin e kaluar, ndoshta jemi pak më pak të uritur”, deklaroi Chivu.
Barella ishte po aq i drejtpërdrejtë:
“Që nga fillimi i sezonit na ka munguar qëndrimi i duhur. Duhet ta shohim njëri-tjetrin në sy, sepse kemi ende një rrugë të gjatë përpara.”
Edhe Bastoni kritikoi ashpër mënyrën si Interi iu qas derbit.
“Qasja dhe intensiteti ishin plotësisht të gabuar. Interi meriton të fitojë çdo ditë. Nuk më pëlqeu aspak qëndrimi ynë.”
Problemi po bëhet i përsëritur. Interi ka pësuar golin e parë në 8 nga 13 ndeshjet e këtij sezoni në Itali dhe Europë, duke u detyruar vazhdimisht të ndjekë rezultatin.
Deri tani zikaltërit kanë arritur disa rikthime, por humbjet ndaj Milanit dhe në Champions League ndaj Real Madridit e Club Brugge kanë treguar se kjo strategji nuk mund të funksionojë gjithmonë.
Mesazhi nga drejtuesit e skuadrës është i qartë: Interi duhet të rikthejë “urinë”, përqendrimin dhe intensitetin e sezonit të kaluar.
Siç e përmblodhi Barella: “Nuk mjafton të jesh më i forti.”











