SPAK pritet t’i drejtohet për herë të dytë Kuvendit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke e vendosur sërish Edi Ramën dhe shumicën socialiste përballë zgjedhjes nëse do t’i hapin rrugë drejtësisë apo do t’i mbeten mbrojtjes politike që i dhanë ish-zëvendëskryeministres në kërkesën e parë.
Lapsi.al bën me dije se Prokuroria e Posaçme pritet të dorëzojë sot ose nesër në Kuvend kërkesën e dytë për imunitetin e Ballukut.
Kërkesa vjen në një moment kur pozita penale e ish-zëvendëskryeministres është rënduar ndjeshëm. SPAK ka bashkuar në dosjen “Balluku” disa procedime penale, ndërsa numri i personave dhe kompanive të akuzuara është rritur ndjeshëm. Mes tyre janë ish-vartës të Ballukut dhe biznesmenë që dyshohet se përfituan tendera publikë në këmbim të ryshfeteve dhe favoreve.
Balluku akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera”, të kryer në bashkëpunim, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, këto të fundit më shumë se një herë.











