Zjarri i nisur mesditën e sotme në fshatin Vadhizë të Fierit ka marrë përmasa të mëdha vetëm pak orë pas shpërthimit të vatrës së parë.
Flakët që nisën në fshatin Vadhizë, ka avancuar drejt Levanit, dhe sipas banorëve janë djegur tre shtëpi, një magazinë që prodhon koshere bletësh dhe i janë afruar një biznesi.
I favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke përshkuar sipërfaqe të mëdha me ullishte, pyje me pisha, shkurre dhe shtëpi.
Një lokal dhe një shtëpi e pabanuar janë djegur në zonën e Qafës së Koshovicës.
Flakët kaluan edhe rrugën nacionale Fier–Levan, duke detyruar policinë të bllokojë përkohësisht qarkullimin në këtë aks, për shkak të rrezikut dhe tymit të dendur.
Zjarri ka vijuar të përparojë duke djegur pyllin e dendur dhe është avancuar me shpejtësi në drejtim të fshatit Peshtan i Vogël.
Për shkak të afrimit të flakëve pranë zonave të banuara, forca të shumta policie kanë nisur evakuimin e banorëve. Rreth 15 familje janë larguar nga banesat e tyre, ndërsa efektivët vijojnë të monitorojnë zonat ku zjarri paraqet rrezik për banesat.










