Qyteti i Nju Jorkut pritet të ndalojë përdorimin e inteligjencës artificiale nga nxënësit e shkollave publike deri në klasat e ciklit të ulët të arsimit të mesëm. Lajmi është konfirmuar për AFP nga një burim i njohur me çështjen, ndërsa është raportuar edhe nga mediat lokale.
Sipas rregullave të reja, përdorimi i inteligjencës artificiale do të lejohet vetëm në shkollat e mesme, por edhe aty do të jetë i kufizuar në aplikacione të caktuara, përfshirë mësimin rreth kësaj teknologjie dhe programe pilot.
Sipas raportimeve të New York Times, do të ndalohen gjithashtu chatbot-et që paraqiten si “shoqërues” të inteligjencës artificiale dhe që ofrojnë mbështetje psikologjike për nxënësit.
Rregullat nuk ndalojnë përdorimin e inteligjencës artificiale nga mësuesit. Ata do të mund ta përdorin teknologjinë në kuadër të detyrave të tyre, për përgatitjen e mësimeve apo hartimin e mesazheve.
Ndërkohë, Departamenti i Arsimit rekomandon kufizimin e kohës para ekranit gjatë orëve të mësimit në 45 minuta për nxënësit e arsimit të mesëm dhe 30 minuta për nxënësit e arsimit fillor.
Rregullat e reja pritet të prezantohen zyrtarisht gjatë ditës së sotme.











