Situata e protestës është tensionuar mbrëmjen e sotme përpara Kryeministrisë, ku qytetarët kanë vijuar protestën e tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas bllokimit të hyrjes kryesore të godinës nga protestuesit, në zonë janë angazhuar forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), si dhe një autobot uji. Në drejtim të protestuesve është hedhur ujë.
Në zonën e protestës kanë “zbarkuar” gjithashtu drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët po ndjekin nga afër situatën dhe zhvillimet përpara Kryeministrisë.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë përballë kordonit policor, ndërsa qytetarët janë përplasur me efektivët, të cilët po tentojnë t’i largojnë nga hyrja kryesore e godinës.
Gjatë mbrëmjes janë shënuar disa herë tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama vijon të ndodhet në zyrën e tij, ndërsa protesta vazhdon përpara Kryeministrisë.











