Dy persona janë arrestuar nga Policia e Dibrës për vepra të ndryshme penale.
Në Dibër, 30-vjeçari O. L., banues në fshatin Kander, u arrestua pasi u ndalua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” teksa qarkullonte me automjet.
Gjatë kontrollit rezultoi se nuk dispononte dokumentacionin përkatës për xhamat e errësuar të mjetit. Në momentin kur po plotësohej masa administrative, 30-vjeçari kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Ndërkohë, në Bulqizë u arrestua 27-vjeçari A. Xh., pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.
Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Bulqizës organizuan operacionin dhe bënë të mundur kapjen e tij.
Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.











