Gjashtë persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas zjarrit që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë. Pesë prej të dëmtuarve janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa një tjetër po vijon trajtimin në Spitalin e Vlorës.
Sipas shefit të Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, tre pacientë kanë pësuar djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë janë hedhur nga kati i dytë i hotelit në përpjekje për t’i shpëtuar flakëve dhe kanë pësuar fraktura të kolonës kurrizore.
Dy prej të dëmtuarve janë nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa tre të tjerë janë transportuar në repartin e djegieve në QSUT. Një pacient vazhdon të marrë trajtim në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës.
Gjendja më e rëndë paraqitet për një vajzë të re, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit dhe ndodhet në rrezik për jetën. Një tjetër pacient ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit.
“Ishte situatë shumë emergjente. Ishin gjashtë pacientë të dëmtuar nga ekspozimi, të cilët ndodheshin në katin e dytë. Tre ishin të djegur rëndë dhe dy ishin hedhur nga kati i dytë, duke pësuar fraktura të kolonës”, deklaroi Breshanaj.
Sipas tij, të dëmtuarit janë të moshave të reja, rreth 25–30 vjeç, dhe janë nga Prishtina, Lipjani dhe Rrësheni.











