Një konflikt familjar në fshatin Majtarë të Dibrës rrezikoi të përshkallëzohej në përdorimin e armëve të zjarrit.
Policia ka ndaluar një 34-vjeçar, i dyshuar se ka dhunuar kunatën e tij, ndërsa ka shpallur në kërkim djalin 19-vjeçar të saj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër gjatë konfliktit, me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij.
Pas marrjes së njoftimit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër shkuan menjëherë në vendngjarje dhe ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Në pranga ka rënë 34-vjeçari dhe 40-vjeçarja. Ndërkohë, djali i saj, 19-vjeçar është shpallur në kërkim.
“Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve policore, u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit dhe u vu në pranga shtetasi D. E., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka dhunuar kunatën e tij, shtetasen F. E., 40 vjeçe.
Ndërkohë, u shpall në kërkim djali i 40-vjeçares, shtetasi F. E., 19 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri, me qëllim kanosjen e shtetasit D. E., xhaxhait të tij. Vijon puna për kapjen e tij dhe kontrollet për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur gjatë konfliktit.
Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetaset F. E., 40 vjeçe, dhe A. E., 25 vjeçe, pasi kanë dhunuar njëra-tjetrën, si dhe për shtetasin E. E., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë provat në vendngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”,njofton policia.




