Vijon të jetë aktive prej katër ditësh vatra e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, ndërsa flakët po përfshijnë sipërfaqe të mëdha me pyje dhe kullota. Sipas burimeve për mediat, në orët e fundit zjarri është përhapur në drejtim të fshatit Borie, duke rrezikuar edhe banesat e zonës.
Zjarri i cili ka marrë përmasa të mëdha, ka djegur deri tani mbi 300 hektarë pyje me bredh dhe sipërfaqe kullotash. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave në terren, vatra vijon të mbetet aktive dhe shuarja e plotë e flakëve ende nuk është bërë e mundur.
Për neutralizimin e zjarrit janë angazhuar mbi 250 forca, mes tyre efektivë të zjarrfikëses, emergjencave civile, Bashkisë dhe Forcave të Armatosura. Ekipet po ndërhyjnë kryesisht nga toka, në përpjekje për të frenuar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara.
Për tre ditë me radhë, në operacionin e shuarjes janë angazhuar edhe dy avionë dhe dy helikopterë, por terreni i vështirë dhe përhapja e flakëve e kanë bërë të vështirë vënien nën kontroll të plotë të situatës.
Zjarri ka përfshirë zona të ndryshme të kurorës së Lurës, duke nisur nga Borje-Lurë, te Maja e Runjës dhe Livadhet e Stafës, ndërsa flakët po avancojnë edhe në drejtim të Lanë-Lurës.
Autoritetet vijojnë operacionin në terren, ndërsa fokusi kryesor mbetet frenimi i përhapjes së zjarrit dhe mbrojtja e banesave në fshatin Borie, të cilat tashmë ndodhen nën kërcënimin e flakëve.











