Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë përplasur fizikisht me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje gjaë seancës në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar atë të LVV-së, Adnan Rrustemi, teksa deputeti tjetër i LVV-së, Ardian Gola, u hyri në mes.
Më parë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, u pa duke e shtyrë deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci, të cilën bashkë më deputeten e PDK-së, Ganimete Musliun, e gjuajtën edhe me letra.
Përplasjet u zhvilluan për rreth dy orë kryesisht në formë verbale, mes mosmarrëveshjeve që dy palët kanë për procedurat e konstituimit të Kuvendit.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila kishte hyrë në sallë për aktivitetin “Bashkatdhetarët në Kuvend”, u bëri thirrje deputetëve të PDK-së dhe AAK-së të marrin pjesë në takimet e ftuara nga LVV-ja për arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Ejani në takim”, u tha Gërvalla deputetëve, të cilët brohorisnin “Thirreni seancën!”.
Në përplasje të tjera u përfshinë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe deputetët e PDK-së, Vlora Çitaku, Eman Rrahmani dhe Blerta Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra tha se ata do të vazhdojnë të vijnë në Kuvend secilën ditë “për ta kthyer rendin kushtetues”.
Përplasjet ndodhën teksa deputetët e PDK-së dhe AAK-së po kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive, pasi ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por Kuvendi nuk arriti të përfundonte zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Procesi mbeti pezull për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.
Megjithatë, Gërvalla tha se interpretimi i LVV-së është se seanca duhet të përmbyllet 30 ditë nga nisja e saj.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e saj, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje politike.
Naim Jakaj nga Insituti i Kosovës për Drejtësi e ka quajtur “të drejtë” kërkesën që seanca të vazhdojë, megjithë kalimin e afatit 30-ditor.
“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai sqaroi se Kushtetuta nuk parasheh që Kuvendi të shpërndahet automatikisht pas kalimit të afatit 30-ditor.
“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e Presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.
Pikërisht për këtë, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij po kërkon funksionalizimin e Kuvendit dhe mbrojtjen e rendit kushtetues.
“Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tonë të tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, tha Tahiri.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se partia e tij nuk do të lejojë, siç u shpreh, “dhunimin e së drejtës së qytetarëve”.
Pas fjalimeve, deputetët e PDK-së dhe AAK-së dolën nga salla dhe vazhduan të qëndrojnë në hollin e Kuvendit.
Pak para largimit të tyre, në sallë hynë edhe dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputeti Vigan Qorrolli tha se ata po merrnin pjesë në aktivitetin me mërgatën, ndërsa aksionin e opozitës e cilësoi si “të lejueshëm”.
Megjithatë, Qorrolli përsëriti qëndrimin e LVV-së se duhet të arrihet fillimisht një marrëveshje politike për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
PDK-ja tha se të gjitha partitë ishin ftuar të merrnin pjesë në sallë, por deputetët e LDK-së nuk u panë aty.
Ndërkaq, Dehari ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive.
Në thelb të ngërçit politik mbetet çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar një marrëveshje më të gjerë politike dhe një kandidat konsensual e jopartiak për president, ndërsa LDK-ja ka kërkuar që posti t’i takojë asaj.
PDK-ja ka insistuar që fillimisht të respektohen procedurat kushtetuese dhe të përfundojë konstituimi i Kuvendit. AAK-ja, ndërkaq, ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin institucional.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së./REL











