Ka nisur në Gjykatën e Korçës seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 20-vjeçarit Kristjan Sterjo, i dyshuar si autor i vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko.
Sterjo ka mbërritur në gjykatë, ku do të njihet me masën e sigurisë, ndërsa Prokuroria pritet të kërkojë “arrest me burg” ndaj tij.
Gjykata e Korçës ditën e sotme është e rrethuar nga forcat e komisariatit të Korçës, për të parandaluar ndonjë konflikt të mundshëm mes familjarëve.
Megjithatë deri në këto momente asnjë prej familjarëve të përfshirë në ngjarje nuk është paraqitur pranë Gjykatës.
Konflikti që parapriu vrasjen
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën me 8 gusht. Në dëshminë e tij dhënë para grupit hetimor më herët, Kristjan Sterjo tha se kishte pasur konflite të mëparshme me Zukon. Sterjo ka deklaruar se viktima kishte ngacmuar të dashurën e tij.
Hetuesit po marrin në konsideratë edhe konflikte të tjera mes tyre. Sipas të dhënave paraprake, dy të rinjtë kishin pasur debate disa ditë para vrasjes, ndërsa përplasjet dyshohet se kishin nisur edhe për pretendime se kush konsiderohej “më i forti” në lagje.
Në ditën e krimit, sipas dëshmisë së të dyshuarit, Sterjo ka marrë armën dhe është nisur në ndjekje të Joan Zukos. Ai dyshohet se e ka qëlluar 20-vjeçarin me një plumb pas shpine, plagë e cila rezultoi fatale.
Pas krimit, Sterjo është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka qëndruar i fshehur për disa orë. Fillimisht dyshohet se është fshehur në një zonë pranë varrezave të qytetit, për t’u larguar më pas në drejtim të banesës së tij.
Policia ka mundur ta lokalizojë dhe arrestojë rreth gjashtë orë pas vrasjes.











