Detaje të reja janë mësuar lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Korçën pasditen e së shtunës, ku 20-vjeçari Joan Zuko mbeti i vrarë. I riu i cili prej rreth dy muajsh ishte shkëputur nga detyra si ushtarak në Forcat e Armatosura, u qëllua me kallashnikov nga shoku i tij i fëmijërisë, Kristjan Sterjo.
Sipas të dhënave të bëra publike deri më tani, mes dy të rinjve kishte një konflikt të hershëm i cili ishte i njohur edhe për autoritetet. Përplasja mes tyre, fillimisht fizike agaravoi më pas deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Por, sipas informacioneve të reja të mësuara nga rrethi shoqëror i dy të rinjve shkak i konfliktit mes tyre dyshohet të jetë bërë një vajzë. (Kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet dhe mbetet në kuadër të informacioneve që po verifikohen nga grupi hetimor.)
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr. 14 të qytetit juglindor, Korçës. Pas përplasjes Zuko tentoi të largohej dhe të fshihej brenda një pallati, por u ndoq nga autori. 20-vjeçari u qëllua pas shpine teksa ngjiste shkallët, ndërsa në dorë kishte një thikë. Plumbi e goditi në pjesën e poshtme të shpatullës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në katin e tretë të pallatit.
Pas krimit, policia dhe forcat RENEA nisën një operacion të gjerë për kapjen e autorit. Kërkimet u shtrinë në disa zona të qytetit, deri te varrezat, në drejtimin ku Sterjo ishte parë të largohej. Pas disa orësh ai u arrestua pranë banesës së tij.
Gjatë operacionit u gjet edhe arma e dyshuar e krimit. Ishte vetë Kristjan Sterjo ai që u tregoi uniformave blu vendin ku e kishte hedhur kallashnikovin.
Në të kaluarën Sterjo ka pasur probleme me drejtësinë dhe është arrestuar më herët për plagosje me thikë. Edhe në rrjetet sociale, në publikime të bëra nga persona të rrethit të tij shoqëror, shfaqen pamje që tregojnë një ambient problematik ku ai shoqërohej. Në disa prej tyre i riu shfaqet pranë personave që mbajnë armë në duar, ndërsa në tavolinë duken edhe lëndë të dyshuara narkotike.
Në krahun tjetër, Joan Zuko përshkruhet nga miqtë dhe të njohurit si një i ri me ambicie për të ardhmen. Gazetari Xhensil Shkembi, i cili e njihte nga afër 20-vjeçarin ka treguar se Zuko kishte ëndërr të bëhej një oficer i lartë i ushtrisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivin që çoi në përplasjen fatale mes dy shokëve të fëmijërisë. Pista e konfliktit të lidhur me një vajzë mbetet për momentin një informacion i pakonfirmuar zyrtarisht, ndërsa pritet që hetimet të hedhin më shumë dritë mbi atë që ndodhi përpara të shtënave fatale./newsbomb











