Opinion nga Besmir Semanaj:
DIKTATURË DIGJITALE. KJO ËSHTË AJO QË PO NDODH SOT NË SHQIPËRI.
Sot dhjetëra qytetarë shqiptarë më kanë dërguar të njëjtin njoftim nga Google Maps. Llogaritë e tyre janë kufizuar dhe nuk mund të publikojnë më komente apo vlerësime.
Nuk po flasim për profile false. Po flasim për qytetarë realë, me identitet të verifikuar, që kanë përdorur Google Maps prej vitesh dhe kanë ndarë përvoja reale.
Ajo që e bën këtë skandal edhe më të rëndë është fakti se kjo ndodh menjëherë pasi vetë Kryeministri pranoi publikisht se institucionet shqiptare kanë kontaktuar Google për komentet ndaj bizneseve të lidhura me qeverinë.
Kur një qeveri përdor peshën e shtetit për të ndërhyrë te një platformë globale, dhe si pasojë qytetarëve u mbyllet e drejta për të folur, nuk kemi më të bëjmë me luftë kundër “spam-it”. Kemi të bëjmë me censurë dhe frikësim.
Sot nuk po bllokohen “review”-t. Sot po bllokohen qytetarët.
Një qeveri demokratike duhet të mbrojë të drejtën e qytetarëve për të kritikuar, jo të kërkojë heshtjen e tyre. Nëse një biznes ka marrë komente të padrejta, ekzistojnë mekanizmat ligjorë dhe politikat e Google për t’i trajtuar ato. Por ndëshkimi masiv i përdoruesve është një precedent tepër i rrezikshëm.
Nëse sot mund të mbyllen llogaritë e qytetarëve sepse kritikojnë disa biznese, nesër mund të mbyllen sepse kritikojnë një institucion, një ministër apo vetë qeverinë.
Kjo nuk është vetëm një çështje e Google Maps.
Kjo është një çështje e lirisë së shprehjes, e së drejtës për të dhënë një mendim dhe e kufijve që një qeveri nuk duhet t’i kalojë kurrë.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që janë penalizuar:
Bëni appeal te Google.
Kërkoni rikthimin e llogarisë suaj.
Shpjegoni se komentet tuaja kanë qenë reale dhe se nuk pranoni të penalizoheni për ushtrimin e së drejtës tuaj të shprehjes.
Heshtja përballë censurës nuk e zgjidh problemin. Sot është radha e Google Maps. Nesër mund të jetë çdo platformë tjetër ku qytetarët guxojnë të shprehin mendimin e tyre.
Shikoni postimin KËTU!











