Zjarri që përfshiu Parkun Kombëtar të Llogarasë është shuar, ndërsa vatrat e fundit të tymit janë neutralizuar, bëri të ditur kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ajo falënderoi angazhimin e efektivëve të Forcave të Armatosura, strukturave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), punonjësve të Njësisë Administrative dhe strukturave të Zonave të Mbrojtura për punën e kryer gjatë ndërhyrjes në terren.
Mersini theksoi se, pavarësisht shuarjes së zjarrit, rreziku nga vatrat e reja mbetet i lartë për shkak të kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve. Ajo u bëri thirrje banorëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo shenjë tymi apo vatër zjarri.
“Mos ndizni zjarr në ambiente të hapura dhe mos hidhni bishta cigaresh. Mbrojtja e Llogarasë dhe e çdo pasurie natyrore është përgjegjësi e përbashkët”, apeloi kryebashkiakja.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e mundshëm të vatrave të zjarrit.











