Eliminimi i Zvicrës ndaj Argjentinës në çerekfinalet e Kupës së Botës ka lënë pas zemërim të madh te helvetët. Në qendër të polemikave ishte përjashtimi i Breel Embolo, i cili mori kartonin e dytë të verdhë pas ndërhyrjes së VAR-it për një rast “identiteti të gabuar”.
Vendimi ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe shkaktoi reagime të ashpra nga lojtarët, trajneri dhe mediat zvicerane.
Trajneri Murat Yakin nuk e fshehu zhgënjimin pas sfidës.
“Nuk e di kush e ka shpikur këtë rregull, por nuk mund ta ndryshojmë. Nëse i jep Embolos të verdhë për atë rast, atëherë më parë duhej të kishte dhënë disa kartonë për ndërhyrjet ndaj tij. Në fund, ne u ndëshkuam. Është e pakuptueshme që një rregull të na dobësojë në këtë mënyrë”, u shpreh Yakin.
Edhe Manuel Akanji reagoi me tone shumë të forta, duke akuzuar drejtimin e ndeshjes si të njëanshëm.
“Zakonisht nuk ankohem për arbitrin, por sot gjithçka shkoi në favorin e tyre. Nuk kam luajtur kurrë një ndeshje kaq të njëanshme. Asnjë nga simulimet e tyre nuk u ndëshkua. Nuk morën asnjë karton të verdhë në 90 minutat e para. Pastaj, për rastin e Breel, ai merr të verdhë. Edhe me dhjetë lojtarë, bëmë gjithçka që mundëm”, deklaroi Akanji.
Portieri Kobel u shpreh se Zvicra meritonte të paktën një tjetër mundësi për ta çuar ndeshjen te penalltitë, ndërsa Freuler kërkoi shpjegim për ndërhyrjen e VAR-it në një moment të tillë.
“Më duhet dikush të ma shpjegojë si mund të ndërhyjë VAR-i në një situatë të tillë dhe në një ndeshje si kjo. Të humbasësh kështu, pas një arbitrimi kaq të dobët, dhemb shumë. Bëmë histori, por sot donim më shumë”, tha Freuler.
Granit Xhaka gjithashtu foli me zhgënjim të madh, duke theksuar se vendimi për Embolon e ndryshoi plotësisht ndeshjen.
“Mendoj se po luanim shumë mirë dhe ndjeja se mund të merrnim më shumë. Por ky është futbolli. Ishte një vendim vendimtar që ndryshoi gjithçka. Rregullat janë rregulla, nuk mund t’i ndryshojmë. Por me atë vendim, arbitri e mbylli ndeshjen. Kjo është mendimi im”, u shpreh Xhaka.
Ai tregoi gjithashtu se Embolo ishte shumë i prekur pas përjashtimit.
“Breel është shumë i rëndësishëm për skuadrën, brenda dhe jashtë fushe. Ishte shumë i zhgënjyer dhe kishte lot në sy. Nuk e kupton pse u përjashtua”, shtoi mesfushori zviceran.
Kritikat nuk munguan as nga mediat zvicerane. Në RTS, Radio Televizioni Zviceran, vendimi u cilësua si një padrejtësi e madhe, ndërsa komentatorët ngritën dyshime se e njëjta masë nuk do të merrej nëse në vend të Embolos do të ishte një lojtar i Argjentinës.
Pavarësisht protestave, vendimi mbeti në fuqi dhe Argjentina përfitoi nga superioriteti numerik, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale. Për Zvicrën, mbetet ndjesia e një eliminimi të hidhur dhe të mbushur me polemika.











