Këshilli i Qarkut Shkodër ka miratuar kërkesën për shpalljen e gjyqtarit Astrit Kalaja “Dëshmor i Atdheut”.
Kalaja humbi jetën më 6 tetor 2025, pasi u vra brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, ndërsa ishte duke drejtuar një proces gjyqësor. Vendimi i autoriteteve vendore synon të nderojë figurën e tij dhe sakrificën në shërbim të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka përshëndetur vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të procesit të njohjes së statusit.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata kujtoi se kërkesa për dhënien e këtij statusi ishte një nga vendimet unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më 9 tetor 2025. Sipas saj, njohja e Astrit Kalasë si “Dëshmor i Atdheut” është një trajtim i denjë dhe ligjor për një shtetar të vrarë në krye të detyrës.
Shoqata u ka bërë thirrje edhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të përmbyllin sa më shpejt procedurat administrative për njohjen zyrtare të këtij statusi.
Deklarata:
D E K L A R A T Ë E SHOQATËS KOMBËTARE TË GJYQTARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me interes vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër për dhënien e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” gjyqtarit, Z. Astrit Kalaja, i cili u vra më datë 6 tetor 2025, në krye të detyrës. Kjo ka qenë një nga kërkesat e paekuivokta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më datë 9 tetor 2025 dhe se për rrjedhojë vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër mirëpritet dhe përshëndetet nga Shoqata si një hap i rëndësishëm në finalizimin e procesit administrativ të njohjes dhe dhënies së këtij statusi. Gjithashtu Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.











