Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Granit Pepnika, i cili u arrestua pak ditë më parë në Dhërmi. Ai akuzohet për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
E njëjta masë sigurie, “Arrest në burg”, është caktuar edhe për shtetasin Xhoni Hitaj, i akuzuar gjithashtu për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, si dhe për shtetasin Redion Rexhmati, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas burimeve, Granit Pepnika dhe Xhoni Hitaj ishin shpallur në kërkim që prej muajit prill, pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” në kuadër të hetimeve për këtë çështje.
Tre shtetasit u vunë në pranga të premten në zonën e Drimadhës, pas zhvillimit të operacionit policor të koduar “Rrjetet”, i organizuar nga strukturat e Policisë së Shtetit. Operacioni kishte si objektiv goditjen e personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë.











