Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e kësaj të shtune në Pogradec, ku një konflikt i çastit mes një çifti të moshuar ka përfunduar me dhunë të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, një 80-vjeçar dyshohet se ka goditur me sende të forta, dyshohet një shkop druri, bashkëshorten e tij 78-vjeçare.
Si pasojë e dhunës, e moshuara ka pësuar dëmtime të rënda, kryesisht në kokë.
Fillimisht ajo është transportuar në Spitalin e Pogradecit, ndërsa, sipas mjekëve, për shkak të gjendjes shëndetësore dhe traumave të marra, do të dërgohet me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë shoqëruar autorin e dyshuar në komisariat.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes.











