Me konfirmimin e listave zyrtare të 48 kombëtareve pjesëmarrëse, Botërori 2026 nis të marrë formë edhe përmes statistikave.
Manchester City është klubi me më shumë lojtarë të grumbulluar në turne. Plot 19 futbollistë të kampionëve anglezë do të përfaqësojnë 12 kombëtare të ndryshme, duke vendosur një rekord të ri.
Pas City vijnë Bayern Munich me 18 lojtarë, ndërsa Arsenal ka 16 futbollistë të shpërndarë në 10 kombëtare. Inter, kampion i Serie A, ka vetëm 7 lojtarë në Botëror, kryesisht për shkak të mungesës së Italisë në turne.
Një tjetër detaj interesant lidhet me përbërjen e skuadrave. Spanja është e vetmja kombëtare ku të gjithë lojtarët vijnë nga pesë ligat kryesore të Evropës: Premier League, La Liga, Serie A, Bundesliga dhe Ligue 1.
Sa i përket moshës, Panamaja ka skuadrën më të vjetër në turne, ndërsa Irani dhe Kolumbia janë gjithashtu ndër ekipet me mesatare mbi 30 vjeç. Te Brazili, Carlo Ancelotti do të mbështetet te eksperienca e emrave si Danilo, Casemiro dhe Neymar, të tre 34-vjeçarë.
Lojtari më i vjetër i Botërorit do të jetë portieri skocez Craig Gordon, i cili do të jetë 43 vjeç në nisje të turneut. Cristiano Ronaldo, në moshën 41-vjeçare, do të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të gjashtë, ndërsa Luka Modric dhe Edin Dzeko janë gjithashtu pjesë e grupit të lojtarëve mbi 40 vjeç.
Nga ana tjetër, Bregu i Fildishtë ka skuadrën më të re në Botëror. Edhe Spanja dhe Maroku paraqiten me grupe relativisht të reja, me emra si Lamine Yamal dhe Pau Cubarsí që përfaqësojnë brezin e ri të “La Roja”.
Lojtari më i ri i turneut do të jetë meksikani Gilberto Mora, i cili do të jetë vetëm 17 vjeç e 240 ditë në momentin e nisjes së Botërorit.











