Enrique Riquelme, kandidati i mundshëm për presidencën e Real Madrid, ka lëshuar një deklaratë të fortë ndaj Florentino Pérez, pas thirrjes së zgjedhjeve për kreun e klubit.
Biznesmeni spanjoll tha se po punon intensivisht për të vendosur nëse do të kandidojë, por pranoi se koha është shumë e shkurtër. Afati për paraqitjen zyrtare të kandidaturës është më 23 maj.
“Po punojmë 24/7 për të parë nëse mund të ndërtojmë diçka emocionuese. Nëse nuk fitojmë, të paktën disa nga idetë tona mund të shërbejnë për të përmirësuar Real Madrid dhe cilësinë e anëtarëve”, u shpreh Riquelme.
Ai theksoi se debati për të ardhmen e klubit është i domosdoshëm dhe foli hapur për rrezikun e privatizimit.
“Këto mund të jenë zgjedhjet e fundit në historinë e Real Madrid. Privatizimi po vjen. Ne nuk jemi dakord me këtë. Klubi duhet t’u përkasë anëtarëve të tij”, deklaroi ai.
Riquelme shtoi se ka respekt të plotë për Florentino Pérez dhe për gjithçka që ai ka ndërtuar te Real Madrid, por sipas tij, çdo cikël në jetë ka një fund.
Ai zbuloi gjithashtu se projekti i tij ishte menduar fillimisht për vitin 2028, por thirrja e zgjedhjeve ka përshpejtuar gjithçka me tre vite.











