Ngjarja tragjike në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë pas një aksidenti, ka sjellë reagime të forta.
Ish-prokurori Ervin Karanxha, për “Euronews Albania”, e lidhi rastin me mungesën e kontrollit të territorit dhe zbatimin e dobët të masave parandaluese në zonat e banuara.
“Si fillim ngjarjen e lidh me kontrollin e territorit, kemi një zonë të banuar që ka pasur problematika të mëparshme dhe ka nevojë për një kamër për kontroll më të madh. Ky person që është denoncuar dhe herë tjera për shpejtësi në zonë duhet të ishte proceduar qoftë me heqje patente apo masa të tjera,” tha Karanxha.
Ai theksoi se qarkullimi me shpejtësi të lartë në zona të banuara është shkelje e Kodit Rrugor dhe se përgjegjësia bie mbi institucionet.
“Lidhur me ngjarjen, e shoh problemin te Ministria e Transporteve,” u shpreh ish-prokurori.
Karanxha ngriti shqetësime edhe për mënyrën si emërohen ekspertët kompetentë, duke paralajmëruar se futja e personave jo të kualifikuar në këto struktura sjell pasoja të rënda.
“Ministria e Transporteve i përcakton personat dhe ekspertët që janë kompetentë për këtë punë… Nuk kanë pse të lejojnë njerëzve të papërgjegjshëm që plotësojnë kriteret ligjore. Mund të futet dikush që nuk është ekspert duke thënë që është,” shtoi ai.
Karanxha nënvizoi se rasti i Durrësit është alarm për nevojën e kontrollit më të madh të territorit dhe ndëshkimit të ashpër të shkelësve të rregullave të qarkullimit:
“Këtij njeriu duhej t’i ishte hequr e drejta e patentës.”- shtoi ai.











