Janë përcaktuar çiftet e çerekfinaleve të UEFA Champions League, duke dhuruar përballje të mëdha që përfshijnë plot 33 trofe të kompeticionit më të rëndësishëm europian. Në këtë fazë përplasen kampionët dhe liderët aktualë të La Liga dhe Premier League, si dhe kampioni në fuqi i Champions League. Ndeshjet e para do të luhen më 7 dhe 8 prill, ndërsa kthimet më 14 dhe 15 prill.
Çiftet çerekfinale:
Paris Saint-Germain – Liverpool FC
Rikthehet përballja e sezonit të kaluar, ku parizienët e drejtuar nga Luis Enrique eliminuan anglezët me penallti, pasi fituan 1-0 në “Anfield” pas humbjes në Paris. Atëherë, goli i Ousmane Dembélé i hapi rrugën PSG drejt finales dhe më pas trofeut. Tani përballen kampioni i Champions dhe kampioni i Premier League, me ndeshjen e kthimit në Angli.
Real Madrid – Bayern Munich
Një klasik i vërtetë i Champions League. Me 15 trofe për madrilenët dhe 6 për bavarezët, kjo është përballja më e shpeshtë në historinë e kompeticionit. Nga 28 ndeshje, Reali ka fituar 13 dhe Bayern 11. Interesant fakti që sa herë janë përballur në çerekfinale, Real Madridi ka kaluar më tej.
FC Barcelona – Atlético Madrid
I vetmi duel mes skuadrave të së njëjtës ligë. Barcelona ka 5 trofe Champions, ndërsa Atletico ende kërkon të parin. Përballje e përsëritur shpesh në vitet e fundit, me një precedent të freskët në Kupën e Mbretit, ku madrilenët triumfuan. Vëmendje e veçantë te Julián Álvarez, ylli i Atleticos dhe objektiv i Barcelonës. Ndeshja e kthimit do të luhet në “Metropolitano”.
Sporting CP – Arsenal FC
Një tjetër duel interesant, ku spikat rikthimi i Viktor Gyökeres në Lisbonë. Asnjëra skuadër nuk e ka fituar Champions League. Sezonin e kaluar, Arsenali fitoi bindshëm 5-1, por në 2023 Sporting i eliminoi londinezët në Europa League.

Çerekfinalet premtojnë spektakël të vërtetë dhe përballje që mund të vendosin fatin e trofeut më prestigjioz në Europë.











