Nëse kjo do të ishte sezoni i fundit i Guardiola-s me Manchester City, ai sigurisht dëshiron të largohet me një titull tjetër, duke fituar titullin e shtatë në Premier League. City po afrohet gjithnjë e më shumë drejt këtij qëllimi, pasi ka reduktuar diferencën me Arsenalin kryesues në vetëm pesë pikë dhe ka një ndeshje më pak. Arsenal ka humbur pikë në dy ndeshjet e fundit përballë Brentford dhe Wolves, ndërsa City ka fituar dy ndeshjet e fundit në ligë, përballë Liverpool dhe Fulham.
Megjithatë, Guardiola ka theksuar se nuk po diskuton për garën e titullit me lojtarët e tij, pasi mbeten ende 12 ndeshje nga fundi i sezonit dhe gjithçka mund të ndryshojë. Ai deklaroi se në këtë moment është fokusuar vetëm te ndeshja me Newcastle dhe se nuk po merret me finalen e Kupës së Ligës me Arsenal derisa të afrojë koha. “Tani është Newcastle, pushim dhe pastaj Leeds. Nuk e di çfarë do të ndodhë këto 12 ndeshje. Kam folur një sekondë të vetme për këtë me lojtarët e mi,” tha ai.
Guardiola theksoi se fokusimi i tij është në secilën ndeshje, dhe jo në renditjen e tabelës. “Kjo është e vërteta që kam. Ishin nëntë pikë para nesh sepse ne kishim një ndeshje më pak. Kur të gjithë kanë të njëjtat ndeshje, pas kësaj do të shohim diferencat. Shumë gjëra do të ndodhin deri në fund të sezonit. 70 për qind e lojtarëve janë të rinj, prandaj nuk kanë këtë përvojë në situata të tilla”, shtoi ai.
Guardiola vazhdon të besojë në rëndësinë e përvojës dhe se çdo hap i ardhshëm është vendimtar. “Përvoja është të fitosh nesër,” përfundoi ai. Në këtë mënyrë, ai përpiqet t’i mbajë lojtarët e tij në këtë mentalitet, duke e përqendruar energjinë vetëm në ndeshjet që vijnë dhe duke mos u shqetësuar për të ardhmen e afërt në garën për titull.









