Gjendja e gjurit të majtë të Kylian Mbappé vazhdon të jetë një mister te Real Madrid. Që nga dëmtimi ndaj Celta Vigos më 7 dhjetor (i diagnostikuar si ndrydhje), çdo ndeshje është shoqëruar me paqartësi: herë mungon, herë rikthehet papritur, madje pati edhe një udhëtim në Arabinë Saudite ku luajti vetëm pak minuta. Nuk luajti në Albacete, por vetëm 72 orë më pas doli vendimtar.
Ndaj Levantes, Mbappé kaloi nga “dyshim serioz” në 95 minuta të plota në fushë. Madje krijoi panik në Bernabéu gjatë nxehmjes, kur u shkel dhe kërkoi ndërhyrje mjekësore për këmbën. Megjithatë, në vend që të dukej i kufizuar, ai ishte lojtari më aktiv në pjesën e parë dhe me një moment vendimtar qetësoi situatën e tensionuar brenda e jashtë skuadrës.
Ai fitoi penalltinë dhe më pas e shndërroi vetë për golin e fitores 1-0, ndërsa nuk pranoi të zëvendësohej dhe as trajneri nuk e pa të arsyeshme ta kursente për sfidën e së martës ndaj Monacos.
Për Mbappé-n, ndeshja me Monacon ka peshë të veçantë emocionale: aty u formua si futbollist, me 27 gola dhe 16 asist në 60 ndeshje, dhe pikërisht aty Reali e pati parë për herë të parë “nga afër”. Prandaj, pavarësisht ngarkesës së madhe, duket e vështirë të mendohet se do të pushojë.
Me golin kundër Levantes, Mbappé u bë lojtari i dytë i Real Madrid që arrin më shpejt 50 gola në kampionat, në 53 ndeshje, i kaluar vetëm nga Cristiano Ronaldo, që e bëri në 51.











