Prokuroria e Tiranës ka shpallur masa sigurie për tetë persona, mes tyre pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë, pas një hetimi që zbuloi abuzime me fonde publike për punime të dyshuara fiktive.
Hetimi nisi pas denoncimit të një qytetari, A.Xh., lidhur me prishjen e një pallati. Gjatë verifikimeve u zbulua se në janar 2021 Bashkia kishte shembur gjashtë objekte, përfshirë pallatin nr. 140, pa kryer njoftimet e nevojshme ligjore.
Në mars 2021, Këshilli Bashkiak miratoi një fond për “Demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore”, megjithëse objektet për të cilat lëshohej fondi rezultonin të ishin shembur më herët.
Sipas Prokurorisë, disa nga përfaqësuesit e kompanive fituese të tenderit, përfshirë shtetasin A.M., kishin futur në dokumentacion objektet e prishura më parë, duke paraqitur të dhëna të rreme. Ndërkohë, Sh.M., i ngarkuar me përgatitjen e dokumenteve, u akuzua për falsifikim.
Punonjësit e IMT-së, S.Q. dhe R.R., gjithashtu rezultuan të përfshirë, pasi kishin hartuar dokumente pa kryer verifikime në terren. Ata pranuan se nuk kishin dalë në inspektim dhe se dokumentet ishin bazuar në të dhëna të pasakta.
Përveç tyre, zyrtarët e Drejtorisë së Emergjencave Civile, A.Ç., B.A. dhe E.G., u akuzuan për falsifikim dhe shpërdorim detyre, pasi kishin nënshkruar dokumente lidhur me procesin e demolimit.
Prokuroria kërkoi masa sigurie që variojnë nga “arrest në shtëpi” deri te detyrimi për paraqitje periodike. Në listën e të dyshuarve përfshihen drejtori i Emergjencave Civile, ndihmësit e tij, përfaqësues të kompanive ndërtuese dhe specialistë të IMT-së.










