Policia greke ka arrestuar gjashtë anëtarë të një grupi kriminal që dyshohet se planifikuan vrasjen e biznesmenit grek Giannis Lalas. Arrestimet u kryen mëngjesin e së martës, ndërsa sipas mediave greke, grupi përbëhet nga dy shtetas grekë dhe katër shqiptarë.
Atentati i planifikuar ndaj Lalas ndodhi në maj 2025 në zonën e Liosias. Sipas hetimeve, katër shqiptarët dyshohet të kenë luajtur rolin kryesor në organizimin e sulmit. Njëri prej tyre, i njohur me nofkën “Demos”, ka një të kaluar të rëndë kriminale me akuza për vrasje dhe atentate, duke u konsideruar si një prej figurave më të rrezikshme brenda asaj që njihet si Mafia Greke.
Gjatë sulmit të dështuar, “Demos” dyshohet se ka qëlluar me armë nga një motoçikletë, duke goditur Mercedesin e zi të biznesmenit. Fatmirësisht, automjeti i blinduar i Lalës e mbrojti nga lëndime të mundshme.
Arrestimet janë rezultat i një hetimi të thelluar të policisë greke, e cila po intensifikon përpjekjet për të frenuar aktivitetet e krimit të organizuar në vend. Vitet e fundit, Greqia është përballur me rritje të incidenteve të dhunshme dhe vrasjeve me pagesë, të lidhura me rivalitetet midis grupeve kriminale.










