Qeveria shqiptare ka paraqitur një projektligj të ri që ka për qëllim rregullimin e tregjeve të kripto-aseteve, një iniciativë e domosdoshme për të organizuar veprimtarinë e bursave dhe platformave të ofruesve të shërbimeve të aseteve virtuale. Ky projektligj vjen në përgjigje të rritjes së përdorimit të kriptomonedhave dhe kërkesës për normat që mbrojnë investitorët dhe garantimin e transparencës në treg.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit shpjegon se qëllimi i projektligjit është të rregullojë aktivitetet që lidhen me emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, si dhe të ndërmjetësimit të kripto-aseteve. Kjo përfshin operimin e platformave tregtare, këmbimin, kujdestarinë dhe menaxhimin e portofolëve të kripto-aseteve.
Drafti përcakton se të gjitha platformat që ofrojnë tregtim me kripto-asete do duhet të licencohen, të kenë një kapital minimal dhe të respektojnë kërkesat për transparencë, një hap i rëndësishëm për të sjellë në rregull një sektor që deri tani ka operuar në një zonë gri. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të jetë përgjegjës për dhënien e licencave dhe mbikëqyrjen e tregut, duke kërkuar raportime të rregullta nga subjektet për aktivitetet e tyre dhe duke zbatuar standardet kundër pastrimit të parave.
Ministria thekson se objektivi i projektligjit është të sigurojë nivele të larta të mbrojtjes për investitorët dhe të ruajë integritetin e tregut përmes kërkesave prudenciale, rregullave të qeverisjes korporative dhe masave të sigurisë kibernetike. Ai gjithashtu parashikon mekanizma për parandalimin e abuzimeve në treg, si dhe njohuri të qarta për dokumentet informuese.
Ky projektligj pritet të nxisë procesin e formalizimit të tregut të kripto-aseteve në Shqipëri, duke vendosur një mbikëqyrje më të fortë dhe një treg më të qëndrueshëm, në përputhje me zhvillimet europiane.










