Papa Leo XIV ka mbërritur sot në Ankara, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar që nga dita kur filloi detyrën si Papë.
Kjo vizitë, që përfshin Turqinë dhe Libanin, shënon një moment të rëndësishëm të misionit të tij si udhëheqës i Kishës Katolike.
Aeroplani Airbus A320neo i ITA Airways, me të cilin udhëtonte Ati i Shenjtë, u nis nga aeroporti i Fiumicino-s në orën 07:58. Papa Leone XIV pritet të rikthehet në Romë pasditen e së martës, më 2 dhjetor.
Mesazhi i Papës: “Të ecim së bashku drejt paqes”
Gjatë përshëndetjes drejtuar gazetarëve në bordin e avionit, Papa Leone theksoi domosdoshmërinë e një mesazhi global harmonie.
“Është e rëndësishme të transmetojmë një mesazh të vërtetë dhe harmonie, për të cilin bota ka nevojë,” u shpreh ai.
Duke kujtuar 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, ai theksoi se kjo vizitë ishte një dëshirë e tij e veçantë.
“Ky udhëtim është një thirrje për unitet mes të krishterëve, por është edhe një mesazh për mbarë botën. Prania ime në Turqi dhe Liban është një ftesë për paqe, një thirrje për të ecur së bashku drejt unitetit dhe harmonisë.”
Ai i ftoi të gjithë njerëzit “të ndihen vëllezër e motra, përtej çdo dallimi apo feje”.
Papa nisi fjalën e tij me një urim të veçantë për gazetetarët, duke kujtuar edhe Ditën e Falënderimeve që shënohej sot.
“Faleminderit për shërbimin që i jepni Vatikanit, Selisë së Shenjtë dhe botës.”
Mesazhi i Presidentit Mattarella
Presidenti italian Sergio Mattarella i dërgoi Papës një mesazh urimi me rastin e vizitës së tij në Turqi dhe Liban, duke theksuar rëndësinë e pranisë së Papës në rajone ku bashkëjetesa fetare ka qenë historikisht themelore.
“Harmonia ndërfetare dhe pluralizmi kulturor kanë qenë themele të qytetërimeve të Mesdheut. Uroj që kjo vizitë të forcojë arsyet e unitetit dhe vëllazërisë njerëzore.”










