Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëron se edhe nëse nënshkruhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Vladimir Putin gati katër vjet më parë, Rusia do të mbetet një kërcënim afatgjatë për një kohë të gjatë.
Deklarata e Rutte-s vjen në një moment kyç në negociatat e paqes për Ukrainën.
Në një intervistë për median spanjolle “El Pais”, Rutte deklaroi se Ukraina është në një rrugë të pakthyeshme drejt NATO-s.
“Rusia nuk ka të drejtë vote dhe as veto mbi atë se kush bëhet anëtar i NATO-s. Por brenda NATO-s, anëtarësimi kërkon unanimitet. Në samitin e Uashingtonit, vendosëm që Ukraina është në një rrugë të pakthyeshme drejt NATO-s.
Në të njëjtën kohë, disa aleatë, përfshirë SHBA-në, kanë thënë se aktualisht janë kundër anëtarësimit të Ukrainës. Kur shikoni planin e paqes dhe doni të siguroheni që Putini të mos përpiqet më kurrë të sulmojë Ukrainën, atëherë nëse anëtarësimi në NATO nuk është një opsion, ne duhet të paktën të vendosim garanci sigurie mjaftueshëm të forta për ta bërë Rusinë të mos përpiqet më kurrë.
Pyetja e parë është se si t’i mbajmë Forcat e Armatosura të Ukrainës të forta, e dyta është se çfarë mund të ofrojë një koalicion i të gatshëmve dhe e treta është se çfarë do të kontribuojnë SHBA-të, pasi Presidenti Trump ka thënë para se të takohej me Putinin në Alaska, se dëshiron të përfshihet në garancitë e sigurisë. Ky diskutim është duke vazhduar”,-tha Rutte.











