Ruud Gullit, legjenda e futbollit holandez, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të rikthehet më në botën e menaxhimit, pavarësisht përvojës së tij të gjatë me klube si Chelsea, Newcastle, Feyenoord dhe LA Galaxy.
Në moshën 63-vjeçare, ai shprehet se nuk dëshiron të përballet më me stresin dhe presionin që shoqëron këtë profesion.
Gullit tha se e sheh me keqardhje mënyrën se si menaxherët lodhen dhe konsumohen nga puna, duke përmendur rastet e Ole Gunnar Solskjaer dhe Jurgen Klopp, të cilët aktualisht janë jashtë menaxhimit.
“Shikoni fytyrat e tyre, duken të lodhur e të sëmurë nga stresi i vazhdueshëm. Solskjaer kur erdhi në Manchester United ishte plot energji dhe entuziazëm, ndërsa tani duket një njeri i rraskapitur,” u shpreh ai.
Në lidhje me Solskjaerin, Gullit përmendi edhe largimin e tij nga klubi turk Beşiktaş, që i ka dhënë mundësi të ndjekë më afër ndeshjet e ish-skuadrës së tij, Manchester United.
“United ka kaluar kohë të vështira, por po e gjen ritmin ngadalë,” shtoi ai, duke iu referuar pozicionit aktual të klubit në vendin e shtatë të Premier League për sezonin 2025–26.
Megjithëse ka njohur sukses si trajner, Gullit pranon se menaxhimi nuk ka qenë kurrë pasioni i tij i vërtetë. “Nuk dua ta përjetoj më atë stres. Dua një jetë më të qetë, më të lumtur,” përfundoi ai, duke theksuar se tashmë preferon të mbështesë futbollin nga larg dhe t’u lërë vendin gjeneratave të reja të trajnerëve.











