UEFA ka zgjedhur zyrtarisht “Camp Nou” si stadiumin që do të presë finalen e Champions League në vitin 2029, plot 30 vjet pas finales së fundit të zhvilluar në impiantin e Barcelonës.
Stadiumi katalanas fitoi garën përballë “Wembley”, ndërsa deri atëherë pritet të ketë përfunduar plotësisht rikonstruksioni. “Camp Nou” i ri do të ketë një kapacitet prej rreth 105 mijë spektatorësh, një element që ka pasur peshë të madhe në vendimin e UEFA-s.
Barcelona do të rikthehet kështu në qendër të një prej mbrëmjeve më të rëndësishme të futbollit europian. “Camp Nou” ka pritur më parë finalet e Champions League në vitet 1989 dhe 1999, ndërsa në vitin 2029 do ta organizojë për herë të tretë.
Presidenti Joan Laporta e cilësoi vendimin si një moment të madh për klubin: “Është një burim i jashtëzakonshëm krenarie për Barcelonën dhe të gjithë tifozët tanë. Është një njohje ndërkombëtare për Camp Noun e ri.”
Ndërkohë, UEFA ka konfirmuar se finalja e Champions League në vitin 2028 do të zhvillohet në Mynih, në “Allianz Arena”.









