Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka firmosur dekretin për largimin nga detyra të ambasadores së Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova. Diplomatja deklaroi se dorëheqja ishte marrë për “arsye personale”, duke theksuar se vendimi nuk lidhet me mosmarrëveshje politike apo diplomatike.
Markarova shërbeu si ambasadore në Uashington që nga viti 2021 dhe luajti një rol kyç në forcimin e marrëdhënieve mes Ukrainës dhe SHBA-së, veçanërisht pas nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë në vitin 2022. Gjatë mandatit të saj, ajo ndihmoi në koordinimin e ndihmës ushtarake, financiare dhe humanitare amerikane për Kievin.
Autoritetet ukrainase nuk kanë bërë ende të ditur se kush do ta zëvendësojë Markarovën në postin e ambasadores në Uashington, ndërsa ndryshimi vjen në një periudhë vendimtare për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.











