Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Ndërkaq, Vuçiq tha se me udhëheqësin ukrainas, shteti i të cilit po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak.
“Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”, tha Vuçiq, i cili e mirëpriti Zelenskyn në vizitën e parë zyrtare në Serbi.
Vuçiq njoftoi se në Serbi, në mesin e shtatorit, do të hapet një fabrikë dronësh, por në bashkëpunim me izraelitët.
“Ukrainasit janë shumë të suksesshëm dhe kanë shumë fabrika të tyre të dronëve”, shtoi ai.
Zelensky vizitoi Serbinë, shtet që është një nga të paktat në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.
“Ne duam paqe dinjitoze”, deklaroi Zelensky, duke theksuar se duhet shfrytëzuar çdo mundësi për arritjen e paqes.
“Çdo mundësi që ekziston në Uashington, Pekin, kryeqytetet e Evropës, mes partnerëve tanë në Lindjen e Mesme, në vendet e Gjirit dhe në të gjitha kryeqytetet e tjera dhe qytetet kryesore në mbarë botën”, tha ai.
Udhëheqësi ukrainas shtoi se shteti i tij po zhvillon çdo lloj bashkëpunimi që mund t’i ofrojë popullit të tij qëndrueshmëri më të madhe dhe mundësi për t’u përballur me të gjitha sfidat e kësaj lufte.
Ai tha se Ukraina është mirënjohëse ndaj BE-s[ për secilën prej 21 paketave të sanksioneve, por vlerësoi se kjo nuk është e mjaftueshme.
Zelensky tha se në raketat balistike ruse ka qindra mijëra komponentë që në Rusi mbërrijnë nga çdo kontinent.
“Vendosni sanksione ndaj furnizimit me komponentë për prodhimin e armëve ruse. Dhe është e rëndësishme që Rusisë të mos i jepet mundësia të fitojë miliarda”, tha Zelenski.
Presidenti ukrainas nuk iu referua faktit se Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të vendit të tij.
Serbia mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, por është një nga të paktat vende evropiane që nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës fqinje.
Vuçiq tha se Serbia do të vazhdojë të respektojë integritetin territorial të Ukrainë.
Vuçiq tha gjithashtu se Serbia nuk do të kundërshtonte që Ukraina të pranohej e para në Bashkimin Evropian.
“Ne kurrë nuk do të krijojmë problem, kurrë nuk do të themi na pranoni ne të parët, ne kemi filluar më herët”, tha presidenti serb.
Serbia dhe Ukraina po vendosin bashkëpunim, ndërsa të dyja vendet janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht lidhjeve të Beogradit me Kremlinin.
Për çfarë u bisedua?
Zelensky tha se me Vuçiqin kanë biseduar për bashkëpunimin dypalësh dhe për çështje që mund të forcojnë infrastrukturën.
“Ekzistojnë projekte konkrete zhvillimore dhe infrastrukturore, siç janë projektet e rindërtimit në Ukrainë, të cilat mund t’i zbatojmë së bashku”, shtoi ai.
Vuçiq theksoi se autoritetet serbe i kishin premtuar më herët Zelenskyt se do të kujdeseshin për rindërtimin e një qyteti më të vogël që ishte goditur gjatë luftës.
“Dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha ai.
Vuçiq njoftoi gjithashtu se Serbia ka ndarë ndihmë të konsiderueshme për Ukrainën.
Ai tha se beson se Ukraina do të jetë më e kënaqur në periudhën e ardhshme sa i përket ndihmës humanitare nga Serbia, para së gjithash për sektorin energjetik, me pajisjet që nevojiten për dimër.
“Besoj se pas përfundimit të luftës, bashkëpunimi ynë do të jetë edhe më i fuqishëm dhe më i madh edhe në planin e politikës së jashtme, në mënyrë që së bashku të mund të eksportojmë në tregje të treta, veçanërisht në kontinentin afrikan dhe aziatik”, tha Vuçiq.
Të dy udhëheqësit shprehën bindjen se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje për tregti të lirë mes dy vendeve.
Gjatë vizitës së Zelenskyt u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Serbisë dhe Shërbimit Shtetëror të Ukrainës për Sigurinë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve për bashkëpunimin në fushën e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore.
Zelenski mbërriti në Beograd mbrëmjen e 7 gushtit, ndërsa në aeroport e priti ministrja e Minierave dhe Energjetikës, Dubravka Gjelloviq Handanovq, ndërsa Vuçiqi u takua më vonë me të gjatë një darke të organizuar.
Vizita ishte paralajmëruar prej kohësh, ndërsa Zelensky mbërriti në Serbi tri javë pas samitit Ukrainë-Evropa Juglindore në Kiev, në të cilin Vuçiq ishte i vetmi udhëheqës që nuk e nënshkroi deklaratën e përbashkët.
Në atë dokument thuhej se nevojitet rritje e presionit ndaj Rusisë me qëllim përfundimin e pushtimit të saj në Ukrainë.
Një grup i vogël i ekstremit të djathtë protestoi me flamuj të Rusisë dhe fotografi të Putinit
Me ftesë të Mlladen Obradoviqit, liderit të grupit ekstremist të djathtë “Obraz”, grup i ndaluar në Serbi, dhjetëra persona u mblodhën për një kohë të shkurtër në qendër të Beogradit në një tubim kundër vizitës së Zelenskyt.
Të mbledhurit para monumentit të carit rus Nikolai, që gjendet pranë Presidencës së Serbisë, mbanin flamuj të Rusisë, Serbisë dhe flamuj me imazhin e presidentit rus Vladimir Putin.
Tubimi kaloi i qetë, me prani minimale të policisë.
Obradoviq tha për Radion Evropa e Lirë se bëhej fjalë për një konferencë spontane për publikun, përmes së cilës dëshironin të shprehnin kundërshtimin ndaj pritjes së presidentit ukrainas, gjë që ai e cilësoi si “turp të shtetit të Serbisë”.
Gjithashtu, 100 figura me pikëpamje të djathta publikuan një deklaratë për të protestuar ftesën që Zelensky të vizitojë Serbinë, duke e konsideruar udhëheqësin ukrainas “fajtorin kryesor për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe eksponent të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.
Edhe pse Beogradi vazhdon të këmbëngulë se BE-ja është orientimi strategjik i vendit, ai nuk heq dorë nga lidhjet me Rusinë, nga e cila Serbia varet në masë të madhe për furnizimin me gaz./REL









