Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkon garanci të qarta dhe të detajuara nga aleatët perëndimorë për mënyrën se si do të funksionojë mbështetja e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës me Rusinë. Në një intervistë televizive, ai theksoi se Kievi nuk kërkon vetëm deklarata politike, por angazhime të shkruara që të përcaktojnë se çfarë do të bëjnë aleatët në rast se Moska ndërmerr një sulm të ri. “Çfarë do të ndodhë, kush do të bëjë çfarë, me çfarë mjetesh dhe kur?”, ishte pyetja që ai kërkoi të marrë përgjigje konkrete.
Deklaratat e Zelenskyt erdhën pas dy ditësh bisedimesh në Bruksel mes përfaqësuesve të Ukrainës, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. Takimet u përqendruan te rindërtimi i vendit, financimi për vitin 2027 dhe garancitë e sigurisë pas luftës. Në diskutime morën pjesë edhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe grupit amerikan të investimeve BlackRock. Ndërkohë, për javën e ardhshme janë planifikuar bisedime trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Abu Dhabi.
Presidenti ukrainas shprehu gjithashtu shpresën se kontrolli i Kongresit amerikan nga demokratët pas zgjedhjeve të mesmandatit mund të rrisë mundësitë për ndihmë të mëtejshme nga Uashingtoni, përfshirë furnizimin me raketa interceptuese Patriot, të rëndësishme për mbrojtjen nga sulmet ajrore ruse. Megjithatë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se një marrëveshje përfundimtare kërkon ende shumë punë dhe varet edhe nga gatishmëria e Rusisë për të negociuar.











