Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë problematikash në administrimin e financave, investimeve, taksave dhe pronave publike nga Bashkia Korçë, duke evidentuar qindra milionë lekë të ardhura të parealizuara, borxhe të pambledhura dhe pasuri të paregjistruara në kontabilitet.
Sipas raportit të fundit të KLSH, Bashkia Korçë ka realizuar vetëm 49% të investimeve të planifikuara, ndërsa situata rezulton problematike edhe me administrimin e të ardhurave dhe pasurive publike.
Nga 418 milionë lekë të planifikuara për investime, janë realizuar vetëm 203.3 milionë lekë, duke lënë të parealizuara rreth 215 milionë lekë.
KLSH konstaton se mosrealizimi i investimeve lidhet me vonesat në procedurat administrative, problemet me shpronësimet, mungesën e financimeve të parashikuara dhe shtyrjen e projekteve shumëvjeçare.
Sipas audituesve, Bashkia Korçë ka programuar investime mbi pritshmëri financiare që nuk janë materializuar gjatë vitit, ndërsa nuk ka përshtatur në kohë projektet me mundësitë reale të financimit.
Edhe realizimi i përgjithshëm i buxhetit ka qenë vetëm 79%, ku nga 3.39 miliardë lekë të planifikuara janë shpenzuar 2.69 miliardë lekë, duke mbetur të parealizuara rreth 701 milionë lekë.
Situata paraqitet po aq problematike me mbledhjen e taksave dhe tarifave vendore.
Nga 1.23 miliardë lekë të ardhura të planifikuara për vitin 2025, bashkia ka arkëtuar vetëm 891 milionë lekë, duke rezultuar me 347 milionë lekë më pak nga parashikimi.
Të ardhurat nga taksat vendore janë realizuar vetëm në masën 52%, ndërsa taksa e ndikimit në infrastrukturë ka pasur një realizim prej vetëm 34%.
Krahas mosrealizimit të planit, KLSH ka konstatuar se borxhi i akumuluar nga taksat dhe tarifat vendore ka arritur në 668.4 milionë lekë, duke u rritur me 35.6 milionë lekë vetëm gjatë vitit 2025.
Nga kjo shumë, bizneset kanë detyrime prej 324.8 milionë lekësh, ndërsa familjarët 343.6 milionë lekë.
Veçanërisht problematike rezulton situata me 772 biznese me status pasiv, të pezulluar ose në proces çregjistrimi, të cilat kanë lënë pas rreth 105 milionë lekë detyrime të papaguara.
Auditimi ka evidentuar se një pjesë e konsiderueshme e borxheve të bizneseve janë më të vjetra se pesë dhe dhjetë vjet, ndërsa masat e ndërmarra nga administrata bashkiake nuk kanë qenë të mjaftueshme për arkëtimin e tyre.
Një tjetër problem lidhet me taksën e tokës bujqësore, ku 10,641 familje rezultojnë debitore dhe detyrimet e akumuluara arrijnë në rreth 96 milionë lekë.
KLSH ka zbuluar gjithashtu mangësi serioze në administrimin dhe regjistrimin e pronave publike.
Sipas raportit, Bashkia Korçë administron 2,222 prona, nga të cilat 1,965 në pronësi dhe 257 në përdorim.
Nga pronat në pronësi, vetëm 279 rezultojnë të pajisura me certifikatë pronësie, ndërsa 47 të tjera janë në proces certifikimi.
Megjithatë, edhe 279 pronat e certifikuara nuk janë regjistruar në kontabilitet si aktive afatgjata materiale, pasi administrata bashkiake nuk ka përcaktuar vlerën e tyre financiare.
KLSH ka konstatuar gjithashtu pasaktësi në regjistrimin e pasurive, përfshirë 84 objekte me vlerë 20.3 milionë lekë të klasifikuara gabimisht si pyje dhe kullota.
Ndërkohë, 10 objekte të ujësjellës-kanalizimeve me vlerë 38.9 milionë lekë vijonin të figuronin në bilancin e bashkisë, megjithëse duhej të ishin çregjistruar pas transferimit te shoqëria e ujësjellësit.
Për shkak të këtyre anomalive materiale, KLSH ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Bashkisë Korçë.
Auditimi ka evidentuar mangësi edhe në mekanizmat e kontrollit të brendshëm, ku nuk ishte ngritur Komiteti i Auditimit dhe nuk ishin përfshirë në planin e kontrolleve disa fusha me risk të lartë, përfshirë prokurimet publike dhe lejet e ndërtimit.
Në total, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar 23 gjetje dhe ka dhënë 26 rekomandime për përmirësimin e administrimit financiar, mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e pasurive publike.
KLSH i ka kërkuar drejtuesve të Bashkisë Korçë marrjen e masave për korrigjimin e pasaktësive financiare, regjistrimin e pronave, ndjekjen e debitorëve dhe planifikimin realist të investimeve, për të shmangur përsëritjen e problematikave në vitet e ardhshme. /skyweb.al











