Dalëngadalë po zbardhen edhe shifrat e çështjes financiare që ka përfshirë Manchester Cityn, pas vendimit të komisionit të pavarur që e shpalli klubin fajtor për shkelje të rregullave të Premier League.
Sipas “AS”, komisioni ka arritur në përfundimin se City regjistroi rreth 949.9 milionë paund të ardhura komerciale të lidhura me Abu Dhabi United Group gjatë periudhës 2009-2018, ekuivalente me mbi 1.1 miliardë euro.
Nga kjo shumë, rreth 830.7 milionë paund pretendohet se janë regjistruar gabimisht si të ardhura komerciale, ndërkohë që duhej të konsideroheshin kontribute kapitali nga pronarët. Kontributet reale të sponsorëve llogariten në vetëm rreth 119 milionë paund.
Duke përfshirë edhe shpenzimet e raportuara në mënyrë të pasaktë, komisioni vlerëson se të ardhurat e klubit janë fryrë dhe kostot janë ulur me rreth 920.7 milionë paund, mbi 1 miliard euro.
Komisioni pretendon gjithashtu se Manchester City përdori kontrata fiktive me partnerë komercialë dhe paraqiti pasqyra financiare që nuk reflektonin gjendjen reale të klubit.
Manchester City i ka mohuar akuzat dhe këmbëngul se disponon prova që vërtetojnë se fondet nuk kanë ardhur nga pronarët.











