Gjykata Penale e Athinës dënoi me burgim të përjetshëm 39-vjeçarin me origjinë shqiptare, Kastriot Cenko, i akuzuar për vrasjen brutale të bashkëshortes së tij 32-vjeçare, Alba Cenko, nënë e dy fëmijëve të tyre.
Vendimi u mor me shumicë votash 6 me 1, duke e shpallur fajtor për vrasje me paramendim dhe në gjendje të qetë psikologjike.
Një prej anëtarëve të trupit gjykues kishte mendimin se krimi ishte kryer në gjendje të rënduar emocionale.
Gjykata refuzoi gjithashtu t’i njohë ndonjë nga rrethanat lehtësuese që kërkoi mbrojtja e të akuzuarit. Pas shpalljes së vendimit, 39-vjeçari nuk reagoi dhe u rikthye në burg.
Krimi ndodhi në nëntor të vitit 2024. Sipas dosjes hetimore, autori fillimisht goditi gruan me çekiç, më pas i lidhi një kabllo karikuesi rreth qafës dhe fshehu trupin në papafingo. Trupi qëndroi aty për një javë, ndërsa ai gënjente familjarët dhe të njohurit se bashkëshortja kishte shkuar jashtë shtetit për punë. Pas pesë ditësh, ai telefonoi policinë dhe pranoi krimin.
Gjatë seancës, prokurori e cilësoi të pandehurin “të pamëshirshëm”, duke hedhur poshtë pretendimet se kishte vepruar në gjendje emocionale të rënduar. Sipas prokurorisë, ai kishte vepruar me gjakftohtësi dhe kishte organizuar fshehjen e krimit.
Prokurori theksoi se viktima ishte një grua punëtore, që mbante familjen duke punuar në tre vende si pastruese dhe se nuk kishte asnjë provë që ajo planifikonte të largohej me fëmijët.
Në dëshminë e tij, i akuzuari pretendoi se humbi kontrollin pasi bashkëshortja i kishte thënë se kishte një lidhje jashtëmartesore dhe se njëri prej fëmijëve nuk ishte i tij.











