Vera e vitit 2026 po shoqërohet me një bilanc të rëndë shëndetësor në Europë. Temperaturat e pazakonta kanë qenë të lidhura me më shumë se 25 mijë vdekje në Gjermani, Francë, Spanjë dhe Itali, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se shifrat mund të rriten ende.
Gjermania rezulton të ketë numrin më të lartë të vdekjeve të vlerësuara. Sipas Institutit Robert Koch, rreth 14 mijë persona kanë humbur jetën në rrethana që lidhen me ekspozimin ndaj temperaturave të larta gjatë këtij viti. Më të rrezikuarit kanë qenë të moshuarit, veçanërisht ata mbi 75 vjeç.
Në Francë, periudhat me temperatura ekstreme janë shoqëruar me mbi 7,300 vdekje shtesë. Autoritetet shëndetësore i kanë lidhur këto raste me efektin e valëve të të nxehtit, edhe pse nxehtësia nuk rezulton domosdoshmërisht si shkak direkt në dokumentet e vdekjes.
Një situatë të rëndë raporton edhe Spanja. Të dhënat e sistemit kombëtar të monitorimit të vdekshmërisë tregojnë rreth 4,500 vdekje të lidhura me temperaturat e larta vetëm nga fillimi i qershorit deri më 19 gusht.
Italia, ndërkohë, ende nuk ka nxjerrë një bilanc përfundimtar për sezonin. Të dhënat po përditësohen në vazhdimësi dhe ndikimi i valëve të nxehtësisë pritet të vlerësohet më saktë në përfundim të verës.
Ekspertët nënvizojnë se këto shifra nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht raste ku nxehtësia ka qenë shkaku i vetëm i vdekjes. Në shumë raste bëhet fjalë për vdekshmëri të tepërt të evidentuar gjatë periudhave me temperatura ekstreme, veçanërisht te personat me probleme të mëparshme shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar Europën si rajonin që po ngrohet më shpejt në botë. Temperaturat gjithnjë e më të larta po shtojnë presionin mbi spitalet dhe shërbimet shëndetësore, ndërsa grupet më të rrezikuara mbeten të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Me temperaturat e larta që vijojnë në disa pjesë të kontinentit, bilanci i viktimave pritet të marrë formë të plotë vetëm pas përfundimit të sezonit veror.











