Një ndërprerje e gjerë në sistemet e telekomunikacionit ka shkaktuar kaos në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke detyruar autoritetet të pezullojnë përkohësisht fluturimet në disa prej aeroporteve kryesore të vendit.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) njoftoi ndalimin e fluturimeve, ndërsa pasagjerë të shumtë mbetën të bllokuar në avionë dhe në terminale, në pritje të rifillimit të operacioneve.
Sekretari Amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markuayne Mullin, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që ndërprerja të jetë shkaktuar nga një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, bëhet fjalë për një problem në komunikimet telefonike dhe të telekomunikacionit, ndërsa të gjitha fluturimet janë identifikuar dhe llogaritur. Mullin theksoi se prioriteti i autoriteteve është rikthimi i komunikimeve dhe garantimi i sigurisë së të gjithë pasagjerëve.
Ai përjashtoi gjithashtu një lidhje mes këtij incidenti dhe problemeve të raportuara në sistemet e Microsoft, duke nënvizuar se deri tani nuk është përcaktuar se sa mund të zgjasë situata. “Të gjithë janë të sigurt. Ky nuk është një tjetër 11 shtator”, deklaroi Mullin, duke iu referuar sulmeve terroriste të vitit 2001, kur ishte vendosur për herë të fundit një ndalim kombëtar i fluturimeve në SHBA.
Ndërkohë, disa aeroporte të mëdha, përfshirë ata në Atlanta, Miami, aeroportin Reagan në Uashington dhe George Bush në Hjuston, konfirmuan pezullimin e fluturimeve dhe u kërkuan pasagjerëve të kontrollojnë vazhdimisht informacionin pranë kompanive ajrore.
Probleme dhe vonesa të mundshme u raportuan gjithashtu në aeroportet e Los Angeles, Las Vegas, JFK në Nju Jork dhe Filadelfia.
Situata shkaktoi edhe bllokimin e pasagjerëve në avionë, pasi disa prej tyre nuk u lejuan të lëviznin drejt portave të mbërritjes.











