Tronditet Mali i Zi. Tre persona janë ekzekutuar me armë zjarri në një poligon qitjeje në Danilovgrad. Policia e vendit fqinj thotë se është vënë në kërkim të një 30-vjeçari rus, i cili dyshohet si autori i krimit makabër.
Viktimat janë identifikuar si Petar Globareviç, 24 vjeç, dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, të dy nga Podgorica, si dhe Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danilovgradi.

Mediat në Mal të Zi raportojnë se Policia po verifikon gjithashtu nëse i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Seat Cordoba”, i cili rezulton të jetë në pronësi të babait të njërit prej viktimave.
Forcat e rendit po vijojnë kërkimet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili konsiderohet i armatosur.
Përmasat e operacionit janë të mëdha. Në kërkimin e të dyshuarit janë angazhuar Njësia Speciale dhe njësitë e posaçme të Policisë së Malit të Zi, ndërsa janë vendosur bllokada në zona të ndryshme. Automjetet që lëvizin nga Danillovgradi drejt Podgoricës po ndalohen dhe kontrollohen nga policia.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos afrohen pranë të dyshuarit dhe, nëse kanë informacion për vendndodhjen apo lëvizjet e tij, ta raportojnë menjëherë në numrin 122.
Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ndërsa vijon operacioni për kapjen e personit të dyshuar për vrasjen e trefishtë.











