Dy helikopterë zjarrfikës u përplasën në ajër gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri të madh pyjor në zonën e Psathas, në perëndim të Athinës, duke shkaktuar vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit.
Pamjet e aksidentit tregojnë momentin kur dy mjetet fluturuese ndodheshin në lartësi të ulët gjatë ndërhyrjes. Sipas raportimeve, rotori i helikopterit që fluturonte më poshtë goditi pjesën e pasme të helikopterit tjetër, duke bërë që njëri prej tyre të rrëzohej dhe të përfshihej nga flakët.
Helikopteri tjetër arriti të largohej nga zona pas përplasjes. Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë konfirmoi se aksidenti ndodhi gjatë operacioneve ajrore për shuarjen e zjarrit në Psathas. Ekipet e kërkim-shpëtimit u aktivizuan menjëherë, ndërsa dy anëtarët e ekuipazhit të helikopterit të rrëzuar humbën jetën.
Ngjarja ndodhi në një kohë kur Greqia po përballet me disa vatra të mëdha zjarresh, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe erërat e forta. Shkaqet e përplasjes mbeten ende nën hetim.











