Nëntë persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël privat u rrëzua në një zonë të banuar në Florida të SHBA-së, të dielën. Lajmi u bë i ditur nga Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy.
Aksidenti ndodhi pranë zonës Cresthaven, rreth 14 kilometra larg resortit Mar-a-Lago, në Palm Beach County, rreth orës 12:50 sipas kohës lokale.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një krater të madh në mes të një rruge rezidenciale, ndërsa në zonë shihen flakë, mbetje betoni dhe pjesë të shpërndara të avionit të tipit “Learjet 60”.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni ishte nisur nga Austin, Teksas, dhe kishte destinacion Bahamasit.
Pak çaste para rrëzimit, piloti kishte njoftuar kullën e kontrollit për një situatë emergjente. Sipas regjistrimeve të komunikimit ajror të publikuara nga mediat amerikane, ai raportoi se avioni po humbiste lartësi me shpejtësi shumë të madhe, duke deklaruar se ndodheshin në një situatë kritike dhe se nuk kishin më kohë.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e përshkroi ngjarjen si një aksident të rëndë, duke krahasuar pamjet e rrëzimit me një raketë që bie drejt tokës, e ndjekur nga një shpërthim i fuqishëm dhe shpërndarje e mbetjeve në të gjithë zonën.
Deri më tani nuk është bërë e ditur identiteti i personave që ndodheshin në bord. Sipas autoriteteve lokale, nuk ka raportime për viktima apo të lënduar mes banorëve në tokë.
Pas aksidentit, autoritetet shpallën gjendjen e emergjencës për shkak të numrit të madh të viktimave dhe nisën evakuimin e rreth 600 banorëve nga një komunitet pranë vendit të ngjarjes.
Rrëzimi shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme në infrastrukturën lokale, përfshirë linjat e ujësjellësit. Autoritetet bëjnë me dije se rruga ku ndodhi aksidenti mund të qëndrojë e bllokuar për të paktën 30 ditë.
Në zonë raportohet se në momentin e aksidentit kishte stuhi dhe reshje të dendura shiu. Administrata Federale e Aviacionit ka dërguar një ekip në vendngjarje për të ndihmuar në hetimet që do të drejtohen nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB). Hetuesit pritet të përcaktojnë shkaqet e rrëzimit.











