Sipas raportimeve të medias The New York Times, Izraeli ka ndërtuar dhe mbajtur dy baza sekrete në territorin e Irakut, të cilat dyshohet se janë përdorur për sulme ndaj Iranit.
Sipas të njëjtit raport, bazat janë ndërtuar për të shkurtuar kohën e fluturimit të avionëve ushtarakë izraelitë drejt Iranit dhe për të shërbyer si qendra logjistike për Forcën Ajrore të Izraelit. Aty janë vendosur edhe njësi të operacioneve speciale dhe ekipe kërkim-shpëtimi, të gatshme për raste emergjente.
Raportimet thonë se një nga bazat është ndërtuar në fund të vitit 2024 dhe nuk është më aktive, ndërsa gjendja e bazës tjetër mbetet e paqartë. Sipas burimeve, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në dijeni të paktën për një prej tyre.
Gjithashtu, banorë vendas beduinë kanë raportuar aktivitet të dyshimtë në zonë, por ushtria irakiane ka zgjedhur ta monitorojë situatën nga distanca.
Në një incident të raportuar, një bari beduin u vra pasi iu afrua një prej bazave dhe, sipas familjarëve të tij, ai kishte njoftuar më herët autoritetet për ekzistencën e saj. Më vonë, gjatë një ndërhyrjeje të forcave irakiane, një ushtar u vra dhe dy të tjerë u plagosën, pas shkëmbimeve zjarri që dyshohet se erdhën nga forca izraelite.











