Për një 17-vjeçare nga Fieri, 8 qershori u kthye në makth. Tre vajza, një 20-vjeçare dhe dy 15-vjeçare, dyshohet se e kanë çuar në banesën e njërës prej tyre dhe e kanë dhunuar fizikisht. Por ajo që e bën edhe më tronditëse këtë ngjarje është fakti se dhuna nuk u ushtrua fshehurazi. Ajo u filmua me celular, ndërsa autorët, sipas hetimeve, qeshnin dhe e nxisnin njëra-tjetrën.
Pamjet dolën në dritë vetëm së fundmi, duke ngritur edhe një herë alarmin për fenomenin e bullizmit dhe dhunës mes të rinjve, një dhunë që sot nuk mjafton të ushtrohet, por kërkon edhe publikun e saj.
Adoleshenjtja, e shoqëruar nga nëna, denoncoi menjëherë ngjarjen në polici. Sipas dëshmisë së saj, ajo ishte dërguar kundër vullnetit në banesën ku u dhunua.
Babai i 17-vjeçares së dhunuar, për “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti ka rrëfyer detajet e ngjarjes.
“Me vajzën kam folur, është pak më mirë.
Atë ditë kisha një parandjenjë dhe e mora vajzën në telefon, fillimisht nuk po më tregonte. E mora përsëri nuk ma hapte telefonin, më pas më tha që po bënte një serum në spital sepse nuk ndihej mirë.
Më pas mora nusen në telefon dhe i thash të shkonte në Fier të merrte vajzën, nga motra e nuses e morëm vesh ngjarjen e cila kishte parë videon. Unë punoj në Orikum.
Vajza më ka treguar se vajzat i njihte shoqe pas shoqeje. E kishin pritur pas kursit, i kishin thënë se duhet të sqaronin diçka e kanë dërguar në shtëpi dhe më pas ka ndodhur ajo që e patë të gjithë.
Në qershor isha vetë në komisariat ku më kallëzimin dhe nuk u mor asnjë masë.
Vajza kishte shenja kudo nga dhuna. Pas veshit, në pjesën e kokës, shkulje floku dhe sytë shumë të nxirë. Mjekët e kishin përcjellë vetëm me një serum edhe pse e kanë parë gjendjen e saj.
Vajza ishte në kurs parukerie, nga shkolla u largua sepse i binte të fikët në shkollë. Mjekët na thanë se vajza nuk ka asgjë.
Gjendja e saj është pak më e mirë, por ishte shumë keq”, tha ai.











